kosova-islam
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.


ISLAM KOSOVA
 
ForumPortaliLatest imagesKërkoRegjistrohuidentifikimi

 

 Besimi ne Allahun xh.sh

Shko poshtë 
AutoriMesazh
Admin
Admin



Numri i postimeve : 13
Join date : 29/05/2009

Besimi ne Allahun xh.sh Empty
MesazhTitulli: Besimi ne Allahun xh.sh   Besimi ne Allahun xh.sh Icon_minitime1Sat May 30, 2009 3:30 am

BESIMI NË ALL-LLAHUN XH.SH.

Besimi në All-llahun XH.SH.do të thotë të bindurit e fuqishëm se All-llahu është Zot, Sundues, Sundues dhe Krijues i çdo gjëje. Se vetëm Ai meriton t’i bëhet ibadet, me anë të: namazit, agjërimit, duasë, shpresës, frikës, përuljes dhe të dëgjesës. Se Ai posedon të gjitha cilësitë e përsosmërisë, dhe se Ai është larg çdo të mete.

Imani - besimi në All-llahun XH.SH. përfshinë tri gjëra:

1. Të besuarit se vetëm All-llahu është Krijues dhe Sundues i të gjithave (teuhidur-rububijje);

2. Të besuarit se vetëm Atij mund t’i bëhet ibadet (teuhidul-uluhijje); dhe

3. Të besuarit se vetëm Atij i takojnë emrat dhe cilësitë e përsosmërisë (teuhidul esma’i ves-sifat).

Prandaj, njeriu nuk mund të jetë besimtar në All-llahun përderisa nuk beson se All-llahu është Sundues i të gjithave dhe se sundues tjetër nuk ekziston, se vetëm Ai është Zot dhe se vetëm Ai mund të adhurohet, dhe se Ai është plotësisht i përsosur me cilësitë dhe me emrat e Vet, dhe se askush tjetër nuk është i përsosur dhe i përkryer.

Këto janë tre lloje të teuhidit që i ngërthen domethënia e imanit ndaj All-llahut XH.SH.,2 të cilët do t’i sqarojmë hollësisht çdonjërin prej tyre.

1. Teuhidur-rububijje

Teuhidur-rububijje shkurtimisht do të thotë:

Bindshmëria e fuqishme se All-llahu XH.SH. është Krijues dhe Sundues i të gjithave dhe se tjetër Sundues nuk ekziston.

Fjala Rabb në gjuhën arabe do të thotë pronar - udhëheqës. E, rububijjeti i All-llahut mbi krijesat e Tij do të thotë se vetëm Ai dhe i Vetmi Ai i ka krijuar ato, se vetëm Ai është pronar dhe se vetëm Ai i mirëmbanë ato dhe udhëheqë me to.3 Prandaj, teuhidur-rububijje do të thotë pranimi se All-llahu XH.SH. është i Vetmi Krijues i të gjitha krijesave dhe i Vetmi Pronar i tyre, se vetëm Ai i ngjallë dhe i vdesë ato, se Vetëm Ai u sjellë dobi apo dëm dhe se Vetëm Ai i pranon lutjet e krijesave, po qe se gjenden në situatë pa shtegdalje. Se vetëm Ai mund të bëjë me ta çka të dojë Vet, se vetëm Ai me të vërtetë jep dhe merr, se vetëm Ai krijon dhe se në duart e Tij janë të gjitha. Përkitazi me këtë, All-llahu XH.SH., na thotë:

"Vetëm Ai krijon dhe sundon! I Lartësuar është All-llahu, Sundues i botëve!" (El-A’raf: 54)

Në këtë lloj të teuhidit bënë pjesë edhe besimi në përcaktimin e All-llahut XH.SH. - besimi se çdo gjë që ndodh, ndodh me dijeninë, me vullnetin dhe me fuqinë e All-llahut XH.SH.4 Me fjalë të tjera, ky lloj i teuhidit do të thotë: të kuptuarit dhe të pranuarit se iniciator i njëmendtë që me të vërtetë vepron në këtë Gjithësi, është vetëm All-llahu XH.SH. me krijimin, udhëheqjen, ndryshimin, drejtimin (e lëvizjes), rritjen dhe me zvogëlimin, ringjalljen dhe vdekjen dhe me veprime të tjera, dhe se në tërë këtë askush nuk i shoqërohet Atij.

Kur’ani tejet qartë flet për këtë lloj të teuhidit. Gati se asnjë kaptinë e Kur’anit nuk e lë pa e përmendur atë, apo bile pa treguar në të në mënyrë të zhdrejtë. Ky është themel i llojeve të tjera të teuhidit, ngase vetëm Ai është Krijues i njëmendtë, Sundues dhe Udhëheqës, i Cili meriton t’i bëhet ibadet (çdo formë e adhurimit), që T’i shprehet dhe T’i drejtohet përulja dhe bindja. Dhe vetëm Ai është meritor që T’i drejtohet falënderimi, dhikri, duaja, shpresa, droja e të ngjashme. Pra, çka do qoftë nga ibadeti mund t’i kushtohet vetëm Atij i Cili posedon pushtet absolut dhe udhëheqë me të gjitha.5

Nga ana tjetër, vetëm Ai është Krijues i njëmendtë, Sundues dhe Udhëheqës, që i meriton cilësitë madhështore, të bukura dhe të përsosura. Për shkak se këto cilësi mund t’i posedon vetëm Sunduesi i të gjithë botëve, sepse, është e pamundur t’i përshkruhet pronësia dhe sundimi dikujt që nuk është i gjallë, që nuk dëgjon, nuk sheh, që është i pafuqishëm, memec, që nuk është në gjendje të bëjë atë që dëshiron vetë dhe që nuk është i përkryer në të folurit e vet dhe në veprat e veta.6

Andaj gjejmë se Kur’ani e përmend këtë lloj të teuhidit në kontekst të hamdit (falënderimit), të ibadetit, të nënshtrimit, të përkushtimit ndaj All-llahut XH.SH. dhe në kontekst të shpjegimit të cilësive të lartësuara dhe të emrave të bukur të Tij.

Në kontekstin e hamdit (falënderimit) çdo myslimanë në çdo rekatë këndon:

"Çdo falënderim i përket All-llahut, Zotit të botëve!" (El-Fatiha: 1).

All-llahu XH.SH. thotë: "Pra, falënderimi i përket vetëm All-llahut, Zotit të qiejve dhe Zotit të Tokës - Zotit të Gjithësisë!" (El-Xhathije: 36)

Në kontekstin e nënshtrimit dhe përkushtimit (devocionit) Atij, All-llahu XH.SH. thotë:

"Thuaj: "Rruga e All-llahut - është e vetmja rrugë e drejtë, dhe neve jemi të udhëruar t’i bindemi Zotit të Gjithësisë". (El-En’am: 71)

Në kontekstin e të drejtuarit dhe të mbështetjes vetëm Atij, All-llahu XH.SH. thotë: "Thuaj: "Me të vërtetë, namazi im dhe adhurimi im, jeta ime dhe vdekja ime, i përkasin vetëm All-llahut, Zotit të Gjithësisë". (El-En’am: 162)

Në kontekstin e sqarimit se vetëm All-llahu XH.SH. mirret për mbrojtës, e askush tjetër, Kur’ani thotë:

"Thuaj: "A të marr për mbrojtës dikë tjetër përveç All-llahut, Krijuesit të qiejve dhe të Tokës! Ai ushqen (botën), e Atë askush nuk e ushqen!" Thuaj: "Mua më është urdhëruar që të jem i pari nga ata që binden (nënshtrohen)", - dhe: kurrsesi mos u bënë nga ata që i bëjnë shok Atij!" (El-En’am: 14)

Në kontekstin e duave, All-llahu XH.SH. thotë:

"Vetëm Ai krijon dhe sundon! I lartësuar është All-llahu, Zoti i Gjithësisë! Lutjuni Zotit tuaj përulshëm dhe ngadalë (në vete)! Ai, me të vërtetë, nuk i do ata që luten me zë të lartë." (El-A’raf: 54-55)

Në kontekstin e ibadetit, All-llahu XH.SH. thotë: "Përse të mos e adhuroj Atë, i cili më ka krijuar. E, te Ai do të ktheheni ju?" (Ja Sin: 22)

"O njerëz! Adhuroni Zotin tuaj, i Cili u ka krijuar juve dhe ata para jush, që të ruheni nga ndëshkimi. Zoti është Ai, që për ju Tokën e ka bërë shtrat dhe qiellin ndërtesë; i Cili prej qielli lëshon shira dhe bën që të rriten frutet, ushqim për ju. Prandaj, mos i bëni me vetëdije shok All-llahut, sepse ju e dini (që Ai nuk ka shok)!" (El-Bekare: 21-24)

Me të vërtetë, vetëm Krijuesi i qiejve, i Tokës dhe i çdo gjëje që gjendet në to, eshtë i Vetmi i Cili meriton që njeriu ta pranojë për Zot dhe për mbrojtës, dhe tërësisht t’i dorëzohet Atij, që duatë e veta t’ia drejtojë Atij dhe të mbështet tek Ai.

Nga ana tjetër, vërejmë se Kur’ani ndërlidhë rububijjetin e All-llahut XH.SH. - i cili pasqyrohet në sundimin e Tij me qiejt e me Tokën dhe me çdo gjë që ekziston në to - me konservimin e tyre me emrat e Tij të bukur dhe me cilësitë e Tij të lartësuara. Soditi fjalët e All-llahut XH.SH. në ajetul-Kursijj:

"All-llahu është - s’ka tjetër zot përveç Tij - i Gjalli dhe i Përjetshmi! Atë nuk e kaplon as kotja, as gjumi! Të Atij janë të gjitha ato që gjenden në qiej dhe në Tokë. Kush mund të angazhohet për ndokënd pa lejen e Tij?! Ai di çdo gjë që ka ndodhë përpara dhe çdo gjë që do të ndodhë në të ardhmen. Por, njerëzit, nuk dinë asgjë nga dijenia e Tij, përveç që Ai ka dashur t’ua tregojë. Kursijja (dija-sundimi) e Tij përfshinë qiejt dhe Tokën, dhe Atij nuk i vie rëndë t’i ruajë ato. Ai është shumë i Larti, i Madhëruari!" (El-Bekare: 255)
Mbrapsht në krye Shko poshtë
https://kosova-islam.forumsq.net
 
Besimi ne Allahun xh.sh
Mbrapsht në krye 
Faqja 1 e 1
 Similar topics
-
» Besimi ne Engjejt e Allahut
» Besimi ne Librat e Allahut
» Besimi ne Profetet e All-llahut
» BESIMI NË PËRCAKTIMIN E ALL-LLAHUT XH.SH.
» BESIMI NË BOTËN E ARDHSHME

Drejtat e ktij Forumit:Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi
kosova-islam :: Islamik :: 6 kushtet i besimit të All-llahut-
Kërce tek: