Besimi në përcaktimin e All-llahut XH.SH. është një nga bazat e akidesë dhe baza e gjashtë e imanit. Andaj kush e mohon kaderin (përcaktimin e All-llahut XH.SH.), ai ka dalur nga feja e All-llahut XH.SH..
Që në fillim e kemi cituar Hadithin e Ibni Umerit r. a, prej të cilit transmetohet se, Resulull-llahu e, kur e pat vizituar Xhibrili dhe e pat pyetur për imanin, ka thënë: "Të besosh All-llahun, engjëjt e Tij, Librat e Tij, Pejgamberët e Tij, botën e ardhshme dhe se çdo gjë që ndodh (e mirë a e keqe), ndodh sipas përcaktimit të All-llahut."
Definicioni i kadaasë dhe i kaderit
Dijetarët islamë kanë qëndrime divergjente përkitazi me definicionin e kadaasë dhe kaderit. Disa këto i konsiderojnë si sinonime për një gjë të njëjtë, kurse disa të tjerë kaderin e definojnë ndryshe nga kadaaja, duke thënë: "Kaderi është dituria e All-llahut XH.SH. mbi atë se çka do të bëjnë krijesat e Tij në të ardhmen.218 Ndërsa kadaa është krijimi i krijesave nga ana e All-llahut XH.SH. në pajtueshmëri me diturinë dhe me vullnetin Tij."
Disa të tjerë e thonë të kundërtën, e definicionin e kadaasë ia përshkruajnë kaderit, kurse definicionin e kaderit kadaasë, gjë që është e mundur.219
E, disa i definojnë me definicion të njëjtë duke thënë: "Kadaaja dhe kaderi janë pikërisht ky sistem preciz të cilin All-llahu XH.SH. e ka vendosur në këtë botë, Ligjet dhe ligjshmëritë e përgjithshme (natyrore) me të cilat i ka ndërlidhë shkaqet dhe pasojat."220 Këtë domethënie e përmend edhe Kur’ani, kur flet për Kaderin, siç qëndron në këtë ajet:
"... Dhe, çdo gjë tek Ai është me masë." (Er-Ra’d:
"Nuk ekziston asnjë send, e që të mos gjendet ajo në thesarin Tonë, e nga ajo Ne japim vetëm aq sa është e nevojshme." (El-Hixhër: 21)
"Ne, çdo send e kemi krijuar me masë të caktuar." (El-Kamer: 49)
Sa bukur është përgjigjur imam Ahmedi, kur është pyetur për kaderin: "Kaderi është kudretur-Rahman (fuqia e Mëshirëplotit)." Ibni Kajjimi, në kasidën e vet, thotë:
E vërteta mbi kaderin, i cili shumë veta i ka hutuar, është se ai është kudretur-Rahman.
Ibni Akili e ka lavdërua këtë, kur ka dëgjua se Ahmedi - All-llahu qoftë i kënaqur me të - e ka thënë këtë. Definicioni i Ahmedit është, në të vërtet, i tërësishëm dhe i mjaftueshëm, sepse kaderi do të thotë ajo që All-llahu XH.SH. konfirmon me fjalët:
"Thuaj (o Muhammed!): "Për të gjitha vendos vetëm All-llahu!." (Ali Imran: 154)
"Dhe çdo gjë kthehet tek Ai." (Hud: 123)
"... Në duart e të Cilit është pushteti mbi çdo gjë!." (Ja Sin: 83)
"... S’ka ndërmjetës tek Ai, përpos me lejen e Tij." (Junus: 3)
Janë të shumtë ajetet që flasin se në Gjithësi nuk mund të ndodhë asgjë pa lejen dhe vullnetin e All-llahut XH.SH..
Tema e kaderit bazohet në të besuarit e cilësive të përsosura të All-llahut XH.SH. dhe në emrat e Tij të bukur, siç janë dituria, fuqia dhe vullneti. All-llahu XH.SH. thotë:
"... Ai di çdo gjë." (El-Bekare: 29)
"Ai është më i dijshmi për çdo gjë." (El-Hadid: 2)
"Ai punon çka dëshiron Vet." (El-Buruxh: 16)
Tahaviu thotë: "Çdo gjë zhvillohet sipas përcaktimit dhe dëshirës së Tij. Dëshira e Tij realizohet, e jo dëshira e njerëzve, përpos çka dëshiron Ai. Prandaj ajo që Ai u dëshiron, ajo edhe do t’u ndodhë, e ajo që Ai nuk u dëshiron, ajo as që do t’u ndodhë. Askush nuk është në gjendje t’i kundërvihet urdhrit të Tij, e as ta ndryshojë atë apo në çfarëdo mënyrë të ndikojë në të dhe askush nuk mund ta zmbrapsë urdhrin e All-llahu XH.SH. me urdhrin e dikujt tjetër."221